Lajmet|

Presheva–Porta që lidh Evropën me vetë Evropën!

Mirëprita në Komunën e Preshevës Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, z. Emanuele Giaufret, i cili me delegacionin e tij vizitoi qytetin tonë në kuadër të një vizite zyrtare. Së bashku me bashkëpunëtorët e mi e falënderuam për angazhimin e vazhdueshëm dhe për fokusin e tij në gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës – në aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik – si dhe për mbështetjen e dhënë përmes financimit të projekteve zhvillimore që nga viti 2000 e deri më sot.

Në takim falënderova konkretisht për përkrahjen për projektin e zëvendësimit të gypave të asbestit për furnizimin me ujë të pijshëm (faza e parë, e realizuar në vitin 2021), si dhe theksova nevojën për mbështetjen e fazës së dytë të këtij projekti jetik për qytetarët tanë. Po ashtu, diskutuam për projektin e Zonës Industriale, ku falë mbështetjes së BE-së jemi në përfundim të fazës së parë. Së bashku me delegacionin vizituam terrenin për të parë nga afër ecurinë e punimeve.

Në takim u diskutuan edhe çështje thelbësore që vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve shqiptarë në Luginë:

  1. Diskriminimi në punësim dhe mungesa e përfaqësimit institucional;
  2. Pasivizimi i adresave që cenon të drejtat themelore qytetare;
  3. Mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe zvarritja e nostrifikimeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut;
  4. Mungesa e investimeve kapitale nga shteti qendror;
  5. Moszbatimi i marrëveshjeve politike, përfshirë Marrëveshjen e Konçulit dhe Planin 7 pikësh;
  6. Mohimi i të drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare;
  7. Pengesat nga Qeveria e Serbisë për fondet që vijnë nga Republika e Kosovës, si 1 milion euro për subvencionimin e bujqëve dhe blegtorëve, por edhe për hapjen e llogarive të dedikuara për projekte infrastrukturore.

Ambasadori i BE-së, z. Emanuele Giaufret, na falënderoi për mikpritjen dhe theksoi se BE po e ndjek me vëmendje zbatimin e Planit 7 pikësh, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të plotë të tij përmes mekanizmave përkatës dhe dialogut me të gjithë aktorët relevantë. Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në zbatimin e këtij plani, brenda mandatit të tij dhe në kuadër të procesit të integrimit të Serbisë në BE.

Ambasadori, në interes të BE-së, gjithashtu shprehu gatishmërinë për të mbështetur realizimin e Planit 7 pikësh përmes formimit të grupeve punuese funksionale dhe nxitjes së dialogut institucional.

Nga ana jonë, shprehëm gatishmërinë për të qenë pjesë aktive e këtyre grupeve punuese, duke besuar se përmes tyre mund të rinis zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.
Megjithatë, theksuam edhe skepticizmin tonë nëse kjo Qeveri ka vullnet të mirëfilltë politik për të shtyrë përpara proceset konkrete, të cilat lidhen me zgjidhjen e problemeve elementare me të cilat përballen qytetarët tanë çdo ditë – si papunësia, diskriminimi, mungesa e investimeve dhe përjashtimi institucional.

Theksuam gjithashtu se Beogradi ka bllokuar dialogun me përfaqësuesit legjitimë shqiptarë dhe se gjendja jo që është përmirësuar, por vetëm është përkeqësuar.

🇪🇺 Ky takim rikonfirmoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të barabartë dhe më të denjë për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *