Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,
Pas sulmeve tendencioze të opozitës dhe përhapjes së dezinformatave lidhur me Programin LIID dhe projektin për rrugën “Tefik Selimi”, ndjejmë detyrim institucional të ndajmë me ju disa sqarime të rëndësishme, të mbështetura në dokumentacion zyrtar dhe komunikim të drejtpërdrejtë me projektuesit e Programit LIID.
Përkundër pretendimeve të opozitës, sipas të cilave pushteti i kaluar kishte planifikuar asfaltimin e rrugës nga fshati Raincë deri në fshatin Miratoc, nga verifikimet tona rezulton se për më shumë se një vit nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim.
Nuk është paraqitur asnjë projekt, as nuk është shprehur interesim për të aplikuar në ndonjë program zhvillimor, përfshirë këtu edhe LIID-in. Kjo dëshmon se pushteti paraprak nuk ka pasur as vullnet e as angazhim real për këtë çështje.
Për herë të parë, Komuna e Preshevës ka aplikuar në Programin LIID me dy projekt-propozime:
- Parku i qytetit (tek ish-Tregu i Gjelbër)
- Rruga “Tefik Selimi”
Sot kemi pranuar përgjigje zyrtare nga projektuesit e Programit LIID, të cilën po e bashkëngjisim për transparencë të plotë. Sipas këtij komunikimi, projekti për Parkun e qytetit i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara, ndërsa rruga “Tefik Selimi”, ashtu si shumë rrugë të tjera në komunën tonë, nuk i plotëson kriteret e përcaktuara nga programi.
Akuzat e opozitës se gjoja ky projekt është “hajni” apo se është “kontraktuar paraprakisht” janë absurde dhe të pavërteta, të cilat përfaqësojnë një përpjekje të ulët për të manipuluar opinionin publik.
Këto janë dezinformata tendencioze të shpërndara nga persona që synojnë ngritje politike përmes gënjeshtrave, duke dëmtuar jo vetëm institucionin, por edhe interesin qytetar.
Këto janë disa nga kriteret kryesore teknike dhe administrative që kërkohen për aplikim në projektet infrastrukturore të Programit LIID:
✅ Kriteret e kërkuara nga Programi LIID për projektet e infrastrukturës rrugore:
- Gjerësia e rrugës
- Për rrugë me dy korsi, secila korsi duhet të ketë gjerësi prej 2.75 deri në 3.00 metra, pra gjerësia totale e rrugës duhet të jetë minimumi 5.5 metra.
- Për rrugë me një korsi, gjerësia duhet të jetë minimumi 2.75 deri në 3.00 metra.
- Preferohet që rruga të projektohet me dy korsi në të dy drejtimet për të mundësuar qarkullim normal dhe siguri rrugore.
- Trotuaret për këmbësorë
- Trotuaret duhet të jenë të pranishëm në të dy anët e rrugës, me gjerësi minimumi 1.5 metra secili, për të garantuar qarkullim të sigurt të këmbësorëve.
- Sipërfaqja e trotuarit duhet të jetë e shtruar dhe pa barriera për persona me aftësi të kufizuara.
- Shtigjet për biçikleta
- Kur hapësira e lejon, projekti duhet të përfshijë shtigje të dedikuara për biçikleta, me gjerësi minimumi 1.5 metra për çdo drejtim.
o Ato duhet të jenë të ndara nga trafiku automobilistik dhe trotuaret, për siguri maksimale.
- Zgjidhja e çështjeve pronësoro-juridike
- Para aplikimit, duhet të jenë të zgjidhura të gjitha çështjet pronësoro-juridike lidhur me parcelat ku do të ndërtohet ose zgjerohet rruga.
- Dokumentacioni duhet të jetë i qartë dhe i kompletuar (kadastra, vendimet për eksproprijim – nëse aplikon, pajtimi i pronarëve, etj.).
- Sistemi i ujërave atmosferikë (kanalizimi i shiut)
- Rruga duhet të ketë zgjidhje funksionale për grumbullimin dhe largimin e ujërave atmosferikë, për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet e infrastrukturës.
- Ndriçimi publik
- Projekti duhet të përfshijë ndriçim rrugor në përputhje me standardet e sigurisë, për të siguruar dukshmëri gjatë natës dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
- Gjelbërimi dhe elementet urbane
- Rekomandohet përfshirja e elementeve të gjelbërimit, siç janë pemët dekorative ose sipërfaqet me bar përgjatë trotuareve, për të rritur cilësinë e jetesës urbane dhe estetikën.
- Përfshirja e elementeve urbane si stola, kosha plehrash dhe sinjalistikë rrugore është një plus i madh për projektin.
8. Përputhshmëria me dokumentet planifikuese
Projekti duhet të jetë në përputhje me Planin Detaj Urban dhe Planin Zhvillimor të Komunës, si dhe dokumentacionin tjetër teknik.
Për fat të keq, shumica e akseve rrugore në komunën tonë nuk i plotësojnë këto kritere, dhe ky është një realitet me të cilin po përballemi për shkak të mosangazhimit shumëvjeçar dhe mungesës së planifikimit urban të mirëfilltë.
Ne jemi të përkushtuar të bëjmë punën me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm.
Do të vazhdojmë të aplikojmë dhe të përgatisim dokumentacionin për të gjitha projektet që i sjellin përfitim qytetarëve tanë.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.
Me respekt,
Besim Shabani
Shef i Kabinetit – Komuna e Preshevës



